Ndërlidhjet

Presidentja Jahjaga u takua me ish-presidentin çek, Vaclav Havel


Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua sot me ish-presidentin e Republikës së Çekisë, zotëri Vaclav Havel, në kuadër të Konferencës “Demokracia dhe Sundimi i Ligjit” të organizuar nga Forumi 2000, që drejtohet nga zotëri Havel.

Ish-presidenti çek Vaclav Havel e vlerësoi punën e presidentes Jahjaga në udhëheqjen e shtetit të Kosovës dhe tha se ka qenë dhe vazhdon të jetë përkrahës i proceseve integruese të Kosovës. Ai shfaqi interesimin e tij për zhvillimet në Kosovë dhe për rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e falënderoi ish-presidentin çek Havel për mbështetjen e tij dhënë Kosovës në të gjitha periudhat dhe tha se përkrahja e Republikës së Cekisë për Kosovën ka një rëndësi të veçantë.

Presidentja Jahjaga tha se për Kosovën është e nevojshme vendosja e marrëdhënies kontraktuale me BE-në, që do të ndihmonte përshpejtimin e reformave të brendshme, zhvillimin më të shpejtë ekonomik dhe do të hapte perspektivën e qartë për vendin. Ajo tha se Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht në tërësinë e saj tokësore dhe tha se ndarja, shkëmbimi i territoreve, riaranzhimet e brendshme territoriale, ose Ahtisaari Plus janë të papranueshme.

Presidentja e Republikës së Kosovës gjatë ditës ka marrë pjesë në punimet e Konferencës të organizuar nga Forumi 2000, ka takuar një numër zyrtarësh të shteteve dhe pjesëmarrës të Konferencës si dhe ka dhënë intervista për një numër të medieve çeke.

Në ditën e tretë të Konferencës, presidentja Jahjaga do të mbajë një fjalë në Institutin Gëte në temën “Krimi i organizuar modern”.
XS
SM
MD
LG