Ndërlidhjet

Iran: Gatishmëri për shqyrtimin e akuzave për komplot


Ministri i jashtëm i Iranit, Ali Akbar Salehi, thotë Irani është “i gatshëm për t’i shqyrtuar”, informatat për të cilat Shtetet e Bashkuara thonë se i mbështesin akuzat se Teherani kishte bërë komplot për ta vrarë ambasadorin e Arabisë Saudite në Uashington.

Ai ka thënë se Teherani është “i gatshëm për ta shqyrtuar me kujdes çfarëdo çështje, edhe nëse ajo është e fabrikuar”.

Sipas tij, Irani ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara t’i paraqesin informacionet që i kanë për t’i mbështetur akuzat.

Ministria e jashtme e Iranit, poashtu, ka kërkuar, nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës, e cila i përfaqëson interesat amerikane në Iran, që të ketë qasje konsullore te personi i akuzuar se ishte në qendër të komplotit të dyshuar.

Personi Mansor Arbabsiar, që ka shtetësi amerikane dhe iraniane, ishte arrestuar nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara, në muajin shtator, për komplot të dyshuar për ta vrarë ambasadorin e Arabisë Saudite në Uashington, Abdel al-Jubeir.

Liderët iranianë kategoriskisht e kanë hedhur poshtë çfarëdo involvimi në këtë komplot të dyshuar.
XS
SM
MD
LG