Ndërlidhjet

KFOR: Liria e lëvizjes të arrihet pa asnjë kusht



KFOR-i bëri sot të qartë se për këtë mision nuk është i pranueshëm asnjë kusht në lidhje me lirinë e lëvizjes.

“Liria e lëvizjes për të gjitha palët nënkupton organizatat ndërkombëtare, sikurse edhe për krejt popullin e Kosovës, kjo duhet të arrihet. Liria e lëvizjes vetëm për KFOR-in, për shembull për të furnizuar ose për diçka të tillë, por jo për EULEX-in, nuk është e pranueshme".

"Komandanti i KFOR-it u ka thënë shumë qartë kryetarëve të komunave në veri të Kosovës herën e fundit, të shtunën e kaluar se liria e lëvizjes duhet të arrihet pa asnjë kusht për çdokënd në çdo kohë dhe kjo është shumë e qartë. Asgjë ndryshe nga kjo nuk është e pranueshme”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki.

Kjo deklaratë vjen pak çaste para se përfaqësuesit e serbëve të komunave veriore të mbajnë një konferencë për gazetarë në lidhje me barrikadat.

Këta politikanë edhe pas disa takimeve qoftë me KFOR-in, qoftë me vetë presidentin Tadiq, nuk kanë pranuar të heqin barrikadat dhe kanë ofruar liri të lëvizjes vetëm për KFOR-in, por jo edhe EULEX-in.
XS
SM
MD
LG