Ndërlidhjet

Prishtina e Beogradi-të gatshme për vazhdimin e dialogut


Ndërmjetësuesit të Bashkimit Evropian në dialogun Prishtinë-Beograd, Robert Kuper, i është konfirmuar gatishmëria e vazhdimit të dialogut nga delegacionet e të dyja palëve, tha Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes për punë të jashtme të BE-së, Ketrin Eshton.

Megjithatë, ajo theksoi se Kuper ende nuk ka arritur të caktojë datën e saktë për vazhdimin e dialogut.

“Shpresojmë që raundi i ardhshëm i dialogut të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur. Në këtë moment nuk mund t’ju konfirmoj datën e saktë, por ju e dini që ndërmjetësuesi ynë, Robert Kuper, është në kontakt edhe me Prishtinën edhe me Beogradin për ta vazhduar, sa më parë, dialogun”, i tha ajo Radios Evropa e Lirë.

Kocijançiq bëri po ashtu të ditur se edhe gjatë kësaj jave dhe javës së kaluar, kanë vazhduar konsultimet e grupeve punuese, të cilat po merren me mundësinë e fillimit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në raundet e deritashme të bisedimeve.

“Janë duke u mbajtur takimet e grupeve punuese, të cilat e vëzhgojnë implementimin e marrëveshjeve të arritura në kontekstin e dialogun dhe këto grupe punuese do të raportojnë të gjitha palët e përfshira në dialog lidhur me rezultatet eventuale”, deklaroi Kocijançiq.
XS
SM
MD
LG