Ndërlidhjet

Kosovë: Serbët nuk e lejuan Sparksin të kaloj në Bërnjak


Serbët nuk kanë lejuar kalimin e zëvendësshefit të misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, Endi Sparks përmes Zupçit për në Bërnjak apo pikën kufitare 31.

Zëdhënësi i forcës paqeruajtëse të NATO-s për Kosovë, Uve Novicki, konfirmoi lajmin.

“Komandanti i KFOR-it e ftoi zëvendësshefin e EULEX-it që ta shoqërojë për në pikën kufitare 31, në veri të Kosovës, përmes Zupçit, ku KFOR-i mund të kalojë barrikadat, por jo edhe EULEX-i. Kështu që KFOR-i është kthyer dhe nuk pranoi lirinë e lëvizjes vetëm për KFOR-in, për shkak se kjo nuk iu mundësua EULEX-it”, i tha Radios Evropa e Lirë, Uve Novicki.

Barrikadat në veri janë vendosur si reagim ndaj dërgimit të doganierëve dhe policëve kosovarë në pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë në Jarinë dhe në Bërnjak.

Pas bisedimeve të shumta me përfaqësues të KFOR-it, politikanët serbë të veriut kanë vendosur që të mundësojnë lirinë e lëvizjes për KFOR-in, por jo edhe për EULEX-in dhe organizatat tjera ndërkombëtare.

Ky kusht, sipas Novickit, vazhdon të jetë i papranueshëm për KFOR-in.

“Përderisa EULEX-i, dhe organizatat tjera ndërkombëtare sikurse edhe njerëzit nuk kanë liri lëvizjeje pa ndonjë kusht, pa pengesa, as KFOR-i nuk do ta pranojë këtë liri të lëvizjes”, tha Novicki.

Furnizimi i ushtarëve në veri, sikurse edhe dërgimi i doganierëve dhe policëve kosovarë në pikat doganore në Jarinë dhe Bërnjak, po vazhdon të bëhet me helikopterë.
XS
SM
MD
LG