Ndërlidhjet

Stefanoviq e Lidington diskutojnë për Kosovën


Kreu i delegacionit serb në dialogun me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, do të takohet sot me ministrin britanik për çështje evropiane, Dejvid Lidington, ndërsa temë kryesore e bisedimeve mësohet të jetë situata në veri të Kosovës.

Në kumtesën e qeverisë së Serbisë thuhet se Stefanoviq dhe Lidington do të bisedojnë në Beograd për situatën aktuale në Jarinë dhe Bërnjak, si dhe për modalitetet e mundshme për tejkalimin e krizës.

Në veri të Kosovës mungon liria e lëvizjes, pasi serbët lokalë kanë vendosur barrikada si reagim ndaj dërgimit të doganierëve dhe policëve kosovarë në pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, përkatësisht në Jarinë dhe Bërnjak.

Kumtesa e ekzekutivit serb bën të ditur se Stefanoviq dhe Lidington do të diskutojnë edhe mundësitë e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi.

Raundi i fundit i këtij dialogu, i paraparë të mbahej më 27 dhe 28 shtator, ishte anuluar, pasi BE-ja dhe SHBA-ja, si ndërmjetëse në këtë dialog, nuk pranuan kërkesën e Serbisë që të flitej për gjendjen në portat kufitare në veri.

Dialogu Prishtinë-Beograd ka nisur në muajin mars të këtij viti, ndërsa deri më tani janë arritur 5 marrëveshje. Serbia vlerësohet se po ngec në zbatimin e tyre.
XS
SM
MD
LG