Ndërlidhjet

Maqedoni: Ahmeti kërkon zgjidhjen e çështjes së emrit


Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, gjatë një takimi që ka zhvilluar në Tetovë me ambasadorin amerikan, Poll Uolers, ka kërkuar zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë si alternativë e vetme për të ardhmen e Maqedonisë.

“ Çdo shtyerje dhe zvarritje e mëtutjeshme e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO rrezikon arritjet e deritanishme dhe nxit elementet destruktive në vend dhe rajon për të krijuar destabilitet në të gjithë rajonin”, citohet të ketë thënë Ahmeti, sipas një komunkate të BDI-së, të publikuar pas takimit me ambasadorin amerikan.


Ai ka thënë zgjidhja e këtij kontesti “prodhon stabilitet, siguri dhe ndikon në sjelljen e investimeve të drejtëpërdrejta të huaja duke mundësuar zhvillimin ekonomik të vendit”.

Kryetari i BDI-së, ka komentuar edhe rritjen e skepticizmit euroatlantik për nevoja të brendshme që në fakt, sipas tij “po prodhon edhe rritje të mostolerancës ndëretnike sepse shumica absolute e shqiptarëve dëshirojnë t’a shohin vendin sa më shpejt në NATO dhe BE, dhe nuk pranojnë orientim të ndryshëm politik të vendit nga ai euroatlantik."

Në komunikatë thuhet më tej se ambasadori amerikan i ka ofruar partneritet BDI-së për realizimin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

” Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë t’a shohin Maqedoninë në NATO dhe kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet zgjidhjes së shpejtë të çështjes së emrit”, citohet të ketë thënë ambasadori amerikan, Poll Uolers.

XS
SM
MD
LG