Ndërlidhjet

Greqia heq dorë nga plani për referendum


Raportet e mediave thonë se kryeministri grek, George Papandreu, ka vendosur të hedhë poshtë planet për mbajtjen e një referendumi lidhur me vendimin e fundit të Eurozonës mbi borxhin grek.

Raportet citojnë zyrtarët unanimë të afërt me Papandreun.

Ata kanë thënë se kreu i ekzekutivit grek i ka bërë komentet në fjalë gjatë një takimi urgjent të kabinetit të mbajtur të enjten.

Sipas deklaratës së lëshuar nga zyra e Papandreut, ky i fundit thuhet se ka theksuar para kabinetit që referendumi “nuk ka qenë përfundimi në vetvete”.

Deklarata citoi Papandreun të ketë thënë se “kemi pasur dilema-ose pëlqimin e vërtetë, ose referendumin. Kam thënë dje se, po që se do të ekzistonte pëlqimi nuk do të kishte nevojë për referendum”.

Papandreu paralajmëroi mbajtjen e referendumit një javë pasi liderët e Eurozonës u pajtuan për t’ia shlyrë këtij shteti gjysmën e borxhit dhe për t’ia dhënë një ndihmë të dytë-një paketë financiare prej 130 miliardë eurosh.

Aktualisht, kryeministri grek po merret me një sesion të Parlamentit që pritet të mbahet të premten me një mocion votëbesimi ndaj kabinetit të tij.

Sidoqoftë, zyrtarët thonë se Papandreu nuk do të japë dorëheqje pavarësisht presionit të shtuar dhe se do ta presë rezultatin e mocionit të votëbesimit.
XS
SM
MD
LG