Ndërlidhjet

Obama uron Jahjagën për Kurban Bajramin


Presidenti i Shteteve tė Bashkuara të Amerikës, Barak Obama e ka uruar presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Në një njoftim të lëshuar nga Presidenca e Kosovës thuhet se presidenti Obama, në kuadër të urimit për të gjithë myslimanët në botë, përfshin edhe një urim për besimtarët e islamit në Kosovë.

“Në kohën kur pelegrinazhi vjetor i Haxhit po përmbyllet në Mekë, Mishel dhe unë i përgëzojmë të gjithë myslimanët në Amerikë dhe gjithandej në botë me rastin e Bajramit dhe në veçanti pelegrinët që po kthehen nga përmbushja me sukses e një obligimi të një prej shtyllave qendrore të Islamit”, thuhet në këtë urim.

Presidenti Obama thotë se ndihen krenarë që mijëra myslimanë-amerikanë u janë bashkuar afro tre milionë myslimanëve në pelegrinazh në Haxh, ritualet e të cilëve shërbejnë si një përkujtues i gjenezës së përbashkët të Profetit Ibrahimit, të tri relegjioneve më të mëdha në botë.

“Shumë myslimanë të botës kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të qenë zemërgjerë me ata që sot kanë shumë nevojë, përfshirë edhe ata në rajone të caktuara të Afrikës që vuajnë nga thatësira dhe uria”, thuhet në urim.

“Në emër të popullit të Amerikan, ju shprehim urimet për Bajram myslimanëve në botë gjatë kësaj feste të veçantë, dhe përgëzimet tona për ata që e kanë përfunduar me sukses Haxhin”, thuhet ndër tjera në urimin e presidentit Obama.
XS
SM
MD
LG