Ndërlidhjet

Eshton: "Situata në Siri shkakton shqetësime enorme"


Siria thotë se vendimi i Ligës Arabe për ta suspenduar ishte një “hap shumë i rrezikshëm”.

Ministri i jashtëm, Ualid al-Mualem, tha në një konferencë për shtyp në Damaskus se fakti që Uashingtoni mirëpriti vendimin e Ligës Arabe ka shkaktuar “nxitje”.

Liga Arabe të dielen ka vendosur që të suspendojë Sirinë deri sa kjo e fundit të implementojë një marrëveshje për të ndalur dhunën ndaj protestuesve anti-qeveritarë.

Kombet e Bashkuara thonë se së paku 3,500 njerëz janë vrarë që nga marsi kur kanë filluar protestat në Siri, kundër regjimit të presidentit Bashar al-Asad.

Shefja e punëve të jashtme e Bashkimit Evropian, Ketrin Eshton ka thënë se BE është e angazhuar në bashkpunimin me Ligën Arabe.

"Situata në Siri shkakton shqetësime enorme. Unë fola natën e kaluar me Nabil al-Arabin, sekretarin e përgjithshëm të Ligës Arabe, dhe shpreha angazhimin tonë që të punojmë me ata, shqetësimet tona, për civilët në Siri, mbi 3,500 prej të cilëve kanë humbur jetët, vendosmërinë që të punojmë me ta dhe me kanale shumëpalëshe në përpjekje për ta zgjidhur këtë situatë”.

Eshton i ka bërë këto komente, para takimit të ministrave të jashtëm sot në Bruksel, ku pritet të diskutohen sanksione shtesë për Sirinë.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se vendimi i Ligës Arabe “nuk ishte korrekt”.
XS
SM
MD
LG