Ndërlidhjet

Regjimi ushtarak i Egjiptit-në qendër të kritikave


Autoritetet ushtarake të Egjiptit kanë marrë një varg kritikash të reja ndërkombëtare pas disa ditëve të protestave të dhunshme që, deri më tani, kanë çuar në vrasjen e të paktën 24 njerëzve dhe plagosjen e mbi 1 700 të tjerëve.

Pas tri ditëve të dhunës në Sheshin Tahrir në Kajro, kabineti qeveritar i Egjiptit ofroi të hënën dorëheqjen, por oferta nuk u miratua menjëherë nga këshilli ushtarak i vendit.

Mësohet se qeveria civile vlerësohet të jetë e dobët kur bëhet fjalë për kompetencat në qeverisjen e vendit.

Në një deklaratë të lëshuar të hënën, organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International vlerësoi se autoritetet ushtarake të Egjiptit “kanë dështuar plotësisht” në respektimin e të drejtave të njeriut.

Deklarata akuzon Këshillin Suprem të Forcave të Armatosura për përdorim të taktikave shtypëse-të ngjashme me ato që ka përdorur ish-presidenti i vendit, Hosni Mubarak.

Sekretari gjeneral i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, shfaqi gjithashtu shqetësimin e tij për situatën në Egjipt, ndërsa u kërkoi autoriteteve “garantimin” e të drejtave të njeriut.
XS
SM
MD
LG