Ndërlidhjet

Shqipëri: U shënua 99 vjetori i Pavarësisë


Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka vlerësuar se “Pavarësia e Shqipërisë është akti më madh në historinë tonë kombëtare” dhe ka shtuar se sot “nderojmë themeluesit e saj”.

Këto komente ai i bëri pas homazheve në kompleksin “Nënë Shqipëri”.

Zoti Berisha mëtutje ka theksuar se sot festohet edhe çlirimi i Shqipërisë.

Mëtutje ai ka theksuar se kombi shqiptar përulet edhe ndaj të gjithë burrave dhe grave të Kosovës që e vendosën shiritin e tyre në themelin e Pavarësisë së Kosovës.

“Kombi përulet me nderim të madh për Adem Jasharin dhe të gjithë ata që vendosën shiritin e tyre në themele të Kosovës së Pavarur”, theksoi Berisha.

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, sot ka vizituar Vlorën, ku para 99 viteve, Ismail Qemali e ngriti Flamurin kuq e zi, simbol i shpalljes së Shqipërisë së Pavarur.

“Në këtë përvjetor, nderimi ynë për Ismail Qemalin”, u shpreh Topi.

Mëtutje presidenti i Shqipërisë theksoi se “projekti që nisi më 28 nëntor 1912, u pasua gati një shekull më vonë në 17 shkurtin e vitit 2008, me Pavarësinë e Kosovës”.

Lideri i opozitës në Shqipëri, Edi Rama, tha se “urimin e parë të kësaj dite të festës së Flamurit ia bëmë presidentes së Kosovës” dhe shtoi “urime të gjithëve”.

Ai Ditën e Flamurit e kaloi në Kosovë.
XS
SM
MD
LG