Ndërlidhjet

Jahjaga dënon sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it


Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dënon sulmin e sotëm kundër forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Jagnjenicë të Zubin Potokut “gjatë kryerjes së veprimeve për heqjen e barrikadës të vendosur nga strukturat kriminale dhe nga grupet politike radikale të qytetarëve serbë të Kosovës, të nxitur nga qarqet e caktuara të Republikës së Serbisë”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga kabineti i presidentes.

"Presidentja Jahjaga u bën thirrje institucioneve të hetuesisë dhe drejtësisë të Republikës së Kosovës dhe EULEX-it që kriminelët që sulmuan ushtarët e KFOR-it dhe lënduan e plagosën 23 ushtarë e oficerë të kapen dhe të marrin dënimin e merituar. Aktet e këtilla të shëmtuara kundër misionit paqeruajtës, si akte dhune kundër paqes dhe stabilitetit, duhet të ndërpriten dhe me këtë rast iu bëj thirrje institucioneve të Serbisë të tërhiqen nga involvimi dhe përkrahja e strukturave kriminale në tri komunat e veriut të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga i fton qytetarët e nacionalitetit serb të komunave të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit që t'i kthehen normalitetit, të heqin barrikadat dhe të lirojnë rrugët për të mundësuar qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave.

Ky sipas presidentes është “një parim evropian që është në të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim, ardhmëria e të cilëve nuk është në barrikada, por në pjesëmarrje në institucione dhe në qeverisje duke pasur një autonomi të gjerë të kompetencave, të lirive dhe të drejtave dhe të vendimmarrjes, të garantuara me pakon e Presidentit Ahtisaari”.
XS
SM
MD
LG