Ndërlidhjet

NATO: Përdorimi i dhunës, i papranueshëm


Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta në Napoli, Samuel Loklir, e ka quajtur të papranueshëm përdorimin e dhunës ndaj trupave të KFOR-it, ndërkohë që u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përmbahen dhe të bashkëpunojnë me akterët ndërkombëtarë në terren, për të siguruar liri të lëvizjes pa vonesë.

“Misioni i KFOR-it është të kontribuojë në mirëmbajtjen e një ambienti të qetë dhe të sigurt, lirisë së lëvizjes dhe sigurisë në Kosovë, nën Rezolutën e Këshillit të OKB-së, 1244”, ka rikujtuar Loklir, gjatë konferencës për media në Aeroportin e Prishtinës.

Duke iu referuar dhunës së 28 nëntorit në Jagnjennicë, ai ka thënë se “njerëzit që u shkaktojnë dëm ushtarëve të KFOR-it, nuk janë demonstrues paqësorë e as që punojnë për të ofruar zgjidhje të mira”.

“Gjatë operacionit, armë të vogla zjarri dhe mjete shpërthyese të improvizuara janë përdorur kundër ushtarëve të KFOR-it nga ‘elemente kriminale’, të cilat kanë luajtur rolin e demonstruesve legjitimë. Si rezultat i kësaj, ushtarët janë lënduar”, ka thënë Loklir.

Ky i fundit po ashtu ka theksuar se KFOR-i “rezervon të drejtën për ta mbrojtur vetveten kundër të gjitha veprimeve agresive”.

Ai ka inkurajuar të gjithë liderët dhe komunitetet në Kosovë “që të vazhdojnë të promovojnë stabilitet dhe dialog” pasi që, siç ka thënë, askush nuk përfiton nga një rikthim i tensioneve nga e kaluara”.
XS
SM
MD
LG