Ndërlidhjet

Xho Bajden do të takohet me kryeministrin irakian


Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden, është duke vizituar Irakun vetëm disa javë para tërheqjes së planifikuar të trupave amerikane.

Bajden, i cili arriti në Bagdad për një vizitë të paparalajmëruar të martën, pritet që sot të takohet me zyrtarët irakianë, duke përfshirë kryeministrin Nuri al-Maliki.

Korrespondentët thonë se vizita e Bajdenit pritet të hartojë një marrëdhënie të re ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Irakut, pas largimit të të gjitha trupave amerikane nga vendi deri në fund të vitit.

Bagdadi dhe Uashingtoni kanë dështuar më herët gjatë këtij viti për të arritur një marrëveshje për mbajtjen e një pranie të vogël ushtarake amerikane në Irak edhe vitin e ardhshëm.

Rreth 13.000 trupa amerikane janë ende në Irak, nga rreth 170.000 sa kanë qenë më parë.

Bajden do të marrë pjesë në një ceremoni që pritet të mbahet në përkujtim të trupave amerikane dhe irakiane të sakrifikuar gjatë luftës tetë-vjeçare.
XS
SM
MD
LG