Ndërlidhjet

Pirker: Situata në veri e tensionuar, nuk përjashtohet dhuna e re


Komandanti i batalionit gjermano – austriak në pjesën veriore të Kosovës, nënkoloneli Franc Pirker, ka deklaruar sot se situata në terren është edhe mëtutje e tensionuar dhe se nuk mund të përjashtohet përshkallëzimi i dhunës.

Në një deklaratë telefonike për agjencinë austriake APA, ai theksoi se momentalisht situata është e qetë, por serbët ende i mbajnë barrikadat.

Sipas tij, pasi ushtarët e KFOR-it, gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme, kanë për detyrë “ta vendosin, e nëse është e nevojshme, edhe ta përparojnë lirinë e lëvizjes”, nuk mund të përjashtohet përshkallëzimi i ri.

Nënkoloneli Pirker ka thënë se të shtënat nga armët e zjarrit, ditën e hënë, u bënë nga banorët lokalë.

“Hapja e qëllimshme e zjarrit kundër njerëzve ishte e veçanta e konflikteve të tashme, pasi këtë deri tash nuk e kemi pasur”, tha Pirker.

Duke përkujtuar se ushtarët e KFOR-it janë të gatshëm, që të përgjigjen ndaj dhunës dhe se kanë leje që në vetëmbrojtje të përdorin municion luftarak, Pirker tha se e ka “një ndjenjë” se as palës serbe nuk i konvenon përshkallëzimi i dhunës dhe se edhe ajo dëshiron ta pengoj përdorimin e armëve të zjarrit.
XS
SM
MD
LG