Ndërlidhjet

Kërkohen prova se Serbia po i normalizon raportet me Kosovën


Gjermania duket se heziton për ta mbështetur synimin e Serbisë për ta fituar statusin e vendit kandidat për pranim në Bashkimin Evropian, duke kërkuar më tepër qartësi lidhur me marrëveshjen e fundjavës me Kosovën, për uljen e tensioneve në vendkalimet kufitare.

“Ne duhet të shohim se për çka janë pajtuar Kosova dhe Serbia, ditët e fundit”, tha Verner Hojer, nga ministria e jashtme gjermane, dhe ka shtuar se “ende nuk ka qartësi të duhur”.

Mëtutje ai ka theksuar se “kushtet janë të qarta” për anëtarësim në BE.

“Secili vend, që dëshiron t’i bashkohet BE-së, duhet t’i qartësoj raportet e veta me fiqinjët”, tha Hojer, para fillimit të një takimi ministror në Bruksel.

Një diplomat i BE-së, ka thënë se edhe Britania, së bashku me Holandën dhe Austrinë, po kërkonin “më tepër prova se Serbia po i normalizon marrëdhëniet me Kosovën”.

Franca dhe Spanja, nga ana tjetër, janë në favor që Beogradit t’i jepet sinjal pozitiv të premten , kur liderët e BE-së, do të vendosin se a do t’i jepet apo jo Serbisë statusi i kandidatit për pranim.

“Për Spanjën është e qartë: ne e mbështesim Serbinë si kandidate për integrim në BE”, tha diplomati spanjoll, Diego Lopez Garrido.
XS
SM
MD
LG