Ndërlidhjet

SHBA-të mbështesin marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit


Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka mirëpritur marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për Menaxhim të Integruar të Kufirit.

Në një komunikatë për media, ambasada amerikane nënvizon se sikurse edhe në rastet e marrëveshjeve të tjera të arritura brenda kornizës së dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, qeveria e Kosovës ka treguar maturi dhe fleksibilitet në arritjen e kësaj marrëveshjeje me Serbinë.

“Ajo mbron dhe avancon interesat e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur”, thuhet në komunikatë.

“Marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit mbështetet në mirëkuptimin e shtatorit 2011 ndërmjet Kosovës dhe BE-së e KFOR-it, që ka vendosur kontrollin doganor dhe kufitar në pikat veriore kufitare të Kosovës dhe ka garantuar që Kosova do të ushtrojë kontroll mbi të gjitha kalimet e saj kufitare”, thuhet më tej në qëndrimin e ambasadës amerikane.

Kjo marrëveshje vlerësohet se siguron që zyrtarët doganorë dhe kufitarë të Kosovës do të qëndrojnë në portat veriore për të ushtruar mandatin e tyre, sipas ligjit të Kosovës.

“Tash është koha që edhe bllokadat e tjera ilegale të rrugëve në pjesën veriore të Kosovës të hiqen. Ato bllokada të rrugëve po pengojnë KFOR-in dhe EULEX-in për të ushtruar përgjegjësitë e tyre anekënd Kosovës në pajtim me mandatet e tyre përkatëse”, thuhet, ndër të tjera, në komunikatë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të qarta se duhet të ketë liri të lëvizjes pa kusht kudo nëpër Kosovë, për të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në fund të komunikatës së ambasadës amerikane në Kosovë.
XS
SM
MD
LG