Ndërlidhjet

Londër: Policia e kërkon Ilir Kumbaron


Policia britanike ka kërkuar ndihmë me informacione për t’i rënë në gjurmë ish shefit të Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë, Ilir Nazmi Kumbaro, 58 vjeçar, i kërkuar për akuza lidhur me torturë dhe rrëmbim.

Policia thotë se ai po fshihet në Britani.

Kumbaro është dashur të paraqitet në një gjykatë në Londër, për dëgjim lidhur me ekstradim, por ai më 1 dhjetor nuk ishte paraqitur në seancë.

Autoritetet në Shqipëri e akuzojnë Ilir Kumbaron dhe gjashtë persona të tjerë, për torturë dhe rrëmbim, përfshirë edhe rrëmbimin e një personi, i cili nuk është parë i gjallë prej vitit 1995.

Policia britanike thotë se Kumbaro kishte kërkuar azil në Britani, para 15 vitesh, duke u paraqitur si refugjat shqiptar nga Kosova. Atij i ishte dhënë pasaporta britanike nën emrin Shaqa Shatri, ka njoftuar policia.

Sipas mediave britanike, ai ishte zbuluar kur e kishte përdorë emrin e tij të vërtetë për të kërkuar ndihma.

“Serioziteti i akuzave për krime është arsye që ne dëshirojmë ta gjejmë atë”, tha detektivi Pit Rens nga policia londineze, dhe shtoi se “ky është hetim i profilit të lartë ndërkombëtar, që ka involvuar shpenzime publike” në Britani.
XS
SM
MD
LG