Ndërlidhjet

Protestuesit kërkojnë zgjedhje të reja





(Protestat e 10 dhjetorit në Rusi)

Tom Balforth, Radio Evropa e Lirë, Moskë


Dhjetëra mijëra demonstrues kanë protestuar të shtunën në mbarë Rusinë, lidhur me zgjedhjet e fundit parlamentare, që ishin përshkuar me skandale, e në të cilat partia udhëheqëse, Rusia e Bashkuar, ka arritur një epërsi të vogël.

Opozita ka kërkuar nga autoritetet që t’i anulojnë rezultatet, që ishin përshkuar nga shkeljet e dyshuara dhe janë kërcënuar me më tepër tubime kundër Kremlinit, derisa dhjetëra mijëra njerëz kanë demonstruar në gjithë Rusinë.

Zyrtarisht, vlerësimi policor është se në një shesh të Moskës ishin mbledhur 20 mijë njerëz, megjithatë organizuesit kanë paraqitur shifra shumë më të mëdha, që shkojnë deri në 100 mijë.

Protesta ka kaluar pa ndonjë incident të rëndësishëm, ndërsa policia ka njoftuar se askush nuk ishte arrestuar.

Shumë media kanë thënë se protesta ishte më e madhja prej shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik.

Në rezolutën e paraqitur para demonstruesve në Moskë, opozita, po ashtu, ka kërkuar lirimin e liderëve opozitarë, Aleksei Navalni, Ilija Jashin, e të tjerëve, që ishin arrestuar në protestat gjatë javës së fundit.

Jevgenia Çirikova, njëra nga lideret kryesore të opozitës, pas demonstratave në Moskë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se në protestë kishte më tepër pjesëmarrës se sa që ishte vlerësimi i policisë.

“Kërkesa e parë është lirimi i të burgosurve politikë, që ishin arrestuar pas të ashtuquajturave zgjedhje, dhe çështja e dytë është mbajtja e zgjedhjeve të reja. Kuptohet, mbajtja e zgjedhjeve të reja është njëra nga kërkesat tona kryesore, por ka edhe shumë kushte të tjera”, ka thënë Jevgenia Çirikova.

Në këto kushte përfshihet edhe kërkesa për dorëheqjen e kryesuesit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Vlladimir Çurov, dhe hetimi i punës së tij, dhe po ashtu, hetime për të gjitha dyshimet për vjedhje të votave dhe ndryshim të ligjeve për regjistrimin e partive politike, në mënyrë që të gjitha partitë opozitare të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

Organizatorët thonë se ata do të protestojnë përsëri më 24 dhjetor, nëse Qeveria nuk i merr parasysh kërkesat e tyre.

Duket se protestuesit me thirrjet “Rusia pa Putinin” dhe “Zgjedhje të reja”, e kanë paralajmëruar “një periudhë të re të shoqërisë civile”.

Lidija, 29-vjeçare, është një inxhiniere e ndërtimtarisë dhe ja se si është shprehur ajo:

“Ne ndjejmë se ky është zhvillim historik, që po ndodh këtu. Kurrë nuk kemi parë kaq shumë njerëz në rrugë, që qëndrojnë së bashku kundër gënjeshtrave të turpshme”.

Tubimet kundër Kremlinit në mbarë Rusinë janë parë si sfida më e madhe deri tash për 12 vjetët e qeverisjes së Vlladimir Putinit, aktualisht kryeministër.

Kjo gjë paraqet rritje të pakënaqësisë publike, derisa ai përgatitet për të garuar në zgjedhjet presidenciale, të parapara për mars të vitit të ardhshëm.

Në masë të madhe pritet që zoti Putin të fitojë në këto zgjedhje, por analistët thonë se ai asnjëherë nuk ka qenë në pozitë më të pafavorshme, sikur që është tash.

I pyetur të përgjigjet ndaj rezolutës së opozitës, Dmitri Peskov, zëdhënës i Putinit, i ka thënë faqes Gazeta.ru në Internet, se “Qeveria e Rusisë ende nuk e ka formuluar qëndrimin e saj”.

Nga ana tjetër, zëvendësshefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çurov, i ka thënë agjencisë Interfax se rezultatet e zgjedhjeve janë konfirmuar dhe se nuk ka bazë për rishqyrtim të tyre.

Partia Rusia e Bashkuar ka fituar diçka më pak se 50 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare të 4 dhjetorit, duke shënuar rënie të konsiderueshme, pasi në vitin 2007, kishte fituar 64 për qind.

Opozita këmbëngulë se rezultati real i partisë Rusia e Bashkuara është shumë më i ulët.

Vëzhguesit nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, thanë se në zgjedhje kishte pasur anim për Rusinë e Bashkuar.

Më herët, këtë javë, kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çurov, kishte thënë se disa video në Internet, që pretendojnë se paraqesin mashtrime zgjedhore në vendvotime, ishin të falsifikuara dhe ishin filmuar në studiot e improvizuara në apartamente. Ai kishte vlerësuar se pretendimet për vjedhje në zgjedhje ishin “gënjeshtra”.

Aleksandar Bobkov ka marrë pjesë në demonstratën që është mbajtur në Vlladivostok. Ai është shprehur i frustruar me politikanët aktualë në Rusi.

Secili është i sëmurë duke jetuar nën regjimin, që shtetasve të vet u ndalon shprehjen e lirë të vullnetit të tyre. Ne jemi kundër falsifikimeve. Ne jemi kundër faktit se ne duhet t’i zgjedhim politikanët e falimentuar. Unë nuk po flas vetëm për Rusinë e Bashkuar, por edhe për opozitën”, ka thënë Bokbov.(f.b.)
XS
SM
MD
LG