Ndërlidhjet

Jahjaga zhvilloi takime në Pentagon dhe FBI


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar dje një numër takimesh me zyrtarë të lartë të SHBA-së në Uashington .

Ajo fillimisht takoi nën-sekretaren amerikane të mbrojtjes, Mishellë Fllorni, me të cilën diskutoi çështjen e bashkëpunimit të ndërsjellë. Jahjaga tha se prania ushtarake amerikane në Kosovë dhe kampi ushtarak amerikan ‘Bondsteel’ është garantues për stabilitetin në rajon dhe ka ndihmuar në vendosjen e një marrëdhënieje të fuqishme ndërmjet qytetarëve dhe ushtarëve.

Ajo tha se e mirëpret vazhdimin e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë, si thelbësore për gjithë stabilitetin në Evropë. Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka për synim anëtarësimin në Partneritetin për Paqe dhe në Aleancën Veri-Atlantike dhe se ndihma e SHBA-së në këtë proces do të ishte qenësore.

Ndërsa nënsekretarja Fllorni u interesua në veçanti për situatën e sigurisë në Kosovë dhe për gjendjen në veri të vendit. Ajo e konfirmoi përkushtimin e SHBA-së për paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe në rajon.

Ndërkohë Jahjaga u takua edhe me drejtorin e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Robert Myller. Në këtë takim u diskutua për modalitetet e bashkëpunimit në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit ndërkombëtar.

Gjatë vizitës së saj, presidentja zhvilloi takime edhe me shumë zyrtarë të tjerë në Uashington, prej të cilëve mori mbështetjen amerikane për Kosovën. Jahjaga pati një takim edhe me ish-sekretaren amerikane te shtetit, Medllin Allbrajt.
XS
SM
MD
LG