Ndërlidhjet

Avokati i Popullit apelon për kujdes nga mjetet piroteknike


Në prag të festave të fund vitit, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për zbatimin e Ligjit për Përdorimin Civil të Eksplozivëve.

Gjithashtu, Avokati i Popullit apelon tek qytetarët që të respektojnë normat ligjore për përdorimin e mjeteve piroteknike, në mënyrë që festat e fund vitit të sjellin gëzim e qetësi në secilën familje dhe për secilin qytetar.


Përmes një komunikate, Avokati i Popullit thotë se dukuria e përdorimit të mjeteve piroteknike në mënyrë të pakontrolluar në periudhën e fund vitit është shqetësim që po përcillet vit pas viti në Kosovë.

Sipas tij, edhe në këtë vit nuk ka ndonjë ndryshim pozitiv; për më tepër, sasia e mjeteve eksplozive që ka hyrë në doganat e Kosovës këtë vit, ka shënuar rritje, gjë që e rrit rrezikun të cilit i ekspozohen qytetarët e vendit.

Kurteshi kërkon që të forcohet bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës dhe autoriteteve komunale, me qëllim të ofrimit të sigurisë qytetarëve të Kosovës.
XS
SM
MD
LG