Ndërlidhjet

Pritet takimi mes izraelitëve dhe palestinezëve


Përfaqësuesit e ekipeve negociatore të Izraelit dhe Palestinës sot pritet të marrin pjesë në takimin e parë pas rreth 16 muajsh, edhe pse të dyja palët theksuan se ky takim nuk shënon ri fillimin e bisedimeve.

Shefi i ekipit negociator izraelit, Jitzak Molsho dhe homologu i tij palestinez, Saeb Erakat pritet që sot të ulen përballë njëri tjetrit, për të marrë pjesë në një seancë të organizuar nga ministri i jashtëm i Jordanit, Naser Judeh.

Thuhet se edhe i dërguari i Kuartetit, Toni Bler pritet që të marrë pjesë në këtë seancë, bashkë me zyrtarë e diplomatë të tjerë të lartë të grupit, që përfaqësojnë BE-në, Rusinë, SHBA-të dhe Kombet e Bashkuara.

“Ky është një zhvillim pozitiv”, ka thënë ministri izraelit, Dan Meridor, për një radio publike izraelite, duke shtuar se është hera e parë pas shumë kohësh që palestinezët janë të gatshëm të bisedojnë, pa pasur paragjykime.

Ndërsa gjatë ditës së djeshme, edhe përfaqësuesi palestinez, Saeb Erkat ka thënë për radion palestineze se takimi ka për qëllim diskutimin e gjetjes së mundësive që mund të çojnë në rifillimin e negociatave.
XS
SM
MD
LG