Ndërlidhjet

Nuk lejohet hyrja e Makollit në Serbi


Autoritetet policore serbe nuk kanë lejuar ministrin e Diasporës Ibrahim Makolli që të kalojë kufirin Kosovë-Serbi në vendkalimin kufitar në Konçul.

Ministri Makolli po udhëtonte në një vizitë zyrtare në komunat shqiptare në Luginën e Preshvës.

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi e quajti pengesën skandal politik.

Ai sqaroi se autoritetet komunale kanë kërkuar leje në Ministrinë e Punëve të Brendshme për vizitën në fjalë, por ajo nuk është siguruar as pas 48 orëve.

“Kanë qenë dy variante, njëra që të lejohet delegacioni, si në praktikat e mëhershme, që të hyjë në Bujanoc apo Preshevë, pa pasur edhe dokumente, kur dihet që qytetarët e Kosoves kanë vështirësi për të kaluar atje. Kësaj radhe po shihet se edhe kjo leje nuk u dha, por as në bisedat që unë i pata me përfaqësues të MPB-së, ata nuk ishin në gjendje edhe këtë pjesë të lejohet hyrja edhe si qytetarë të rëndomtë. Kjo do të thotë shkelje e drejtpërdrejtë e marrëveshjes në Bruksel”, tha Halimi.

Në anën tjetër, kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi tha po ashtu se kjo ndalesë e ministrit Makolli është mos respektim edhe i marrëveshjeve të arritur në Bruksel në dialogun Prishtinë- Beograd.

Vizita e ministrit Makolli kishte për qellim që të informohet nga afër me gjendjen aktuale politike të shqiptarëve në Preshevë dhe për gjendjen në të cilën jetojnë ata.

Ditë më parë, një grup intelektualësh nga Lugina e Preshevës kanë kërkuar nga krerët e institucioneve që të zhvillojnë vizita në këtë rajon të banuar me shumicë shqiptare.
XS
SM
MD
LG