Ndërlidhjet

Nuk lejohet hyrja e Makollit


Kufiri Kosovë-Serbi (Foto nga arkivi)
Kufiri Kosovë-Serbi (Foto nga arkivi)
Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, ka thënë se me moslejimin e vizitës së tij në Preshevë dhe në Bujanoc, Serbia po dëshmon se nuk mund të shkëputet nga e kaluara dhe se nuk është e interesuar që t’i përmirësojë raportet në Ballkan.

“Kjo dëshmon dhe njëherë se Serbia së pari nuk është e interesuar për zbatim të marrëveshjeve që arrihen, dhe së dyti, me këso lloj veprimesh, Serbia po dëshmon se nuk është e interesuar për përmirësim të marrëdhënieve në Ballkan. Me forma të tilla ajo po ndikon në përkeqësimin e raporteve të përgjithshme në Ballkan”, tha Makolli.

Ai, së bashku me një delegacion nga Ministria e Diasporës, të cilët po planifikonin një vizitë në komunën e Preshevës dhe Bujaoncit, është ndaluar në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë në Konçul.

Ministri Makolli tha se as ai dhe as përfaqësuesit e pushtetit lokal në Luginën e Preshevës nuk kanë marrë përgjigje zyrtare se përse nuk u lejohet kalimi.

“Jozyrtarisht kemi marrë një përgjigje, përmes së cilës, deklarimi i autoriteteve të Beogradit ka qenë se vizita nuk mund të realizohet në asnjë formë të mundshme”, theksoi Makolli.

Ministri Makolli sqaroi se vizita e tij ishte zyrtare, por, nga ajo që ka kuptuar gjatë qëndrimit në zonën neutrale, “autoritetet serbe nuk do të më lejonin hyrjen në Luginë, as si qytetar, e as si ministër”.

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, sqaroi se autoritetet komunale kanë kërkuar leje në Ministrinë e Punëve të Brendshme për vizitën në fjalë, por ajo nuk është siguruar as pas 48 orëve.

“Kanë qenë dy variante, njëra që të lejohet delegacioni, si në praktikat e mëhershme, që të hyjë në Bujanoc apo Preshevë, pa pasur edhe dokumente, kur dihet që qytetarët e Kosovës kanë vështirësi për të kaluar atje. Kësaj radhe po shihet se edhe kjo leje nuk u dha, por as në bisedat që unë i pata me përfaqësues të MPB-së, ata nuk ishin në gjendje edhe këtë pjesë t’u lejohet hyrja edhe si qytetarë të rëndomtë. Kjo do të thotë shkelje e drejtpërdrejtë e marrëveshjes në Bruksel”, tha Halimi.

Ai e quajti skandal politik pengesën që iu bë ministrit Makolli.

“Është një skandal politik, sepse refuzimi nuk është bërë me kohë, pasi që kishte më shumë se 48 orë që ishte paraqitur kërkesa dhe deri në momentet kur definitivisht policia në kalimin kufitar e ktheu delegacionin, ne nuk kishim përgjigje negative nga Ministria. Ishte çështja pezull se presim nga nivele më të larta lejen, e cila po shihet se nuk u dha”, sqaroi Halimi.

Në anën tjetër, kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, tha po ashtu se kjo ndalesë e ministrit Makolli është mosrespektim edhe i marrëveshjeve të arritur në Bruksel në dialogun Prishtinë-Beograd.

Kamberi theksoi se është e drejtë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës “që të kenë kontakte me shtetin amë gjë që është e garantuar edhe me Konventën Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

Vizita e ministrit Makolli kishte për qëllim informimin nga afër me gjendjen aktuale politike e ekonomike të shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanoc.

Ditë më parë, një grup intelektualësh nga Lugina e Preshevës kanë kërkuar nga krerët e institucioneve të Kosovës që të zhvillojnë vizita në këtë rajon të banuar me shumicë shqiptare, ashtu siç i vizitojnë zyrtarët shtetërorë serbë serbët në Kosovë.
XS
SM
MD
LG