Ndërlidhjet

SHBA e gatshme për raporte diplomatike me Birmaninë


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha se SHBA-ja është e gatshme të shkëmbejë ambasadorët me Birmaninë, në përgjigje të lirimit të të burgosurve të saj politikë dhe të reformave të tjera.

“Ky është një hap i rëndësishëm dhe serioz në përkushtimin e qeverisë për reforma politika. Ne e mirëpresim këtë, ashtu siç do të duhej të bënte edhe i gjithë komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Klinton.

Birmania ka liruar sot disa disidentë të shquar, në kuadër të amnistisë për të burgosurit. Ish-kryeministri i këtij vendi, i arrestuar në vitin 2004, është liruar po ashtu nga arresti shtëpiak.

Televizioni shtetëror ka bërë të ditur se, në bazë të faljes presidenciale, do të lirohen gjithsejtë 651 të burgosur. Nuk është bërë e ditur se për sa të burgosur politikë bëhet fjalë.

Lirimi i të burgosurve politikë ka qenë për kohë të gjatë kërkesë e Perëndimit.

Partia opozitare e Aung San Su Ki e ka përshëndetur hapin e sotëm duke e quajtur një “shenjë pozitiv”.

Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se ky është “një hap i rëndësishëm përpara për reformën demokratike”. Por, Obama tha se mbetet shumë për t’u bërë “për të përmbushur aspiratat e popullit të Birmanisë”.

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, e ka mirëpritur lirimin si “një hap të guximshëm” të regjimit të mbështetur nga ushtria.
XS
SM
MD
LG