Ndërlidhjet

Rumania nuk do të tolerojë dhunën


Kryeministri i Rumanisë, Emil Boc, tha se protestat e dhunshme gjatë fundjavës, mund të rrezikojnë stabilitetin e vendit dhe shanset për rritje ekonomike.

Protestat paqësore në qendër të Bukureshtit u shndërruan në të dhunshme kur huliganët e futbollit nisën të godisnin me gurë policinë.

Boc u tha gazetarëve se “demonstratat paqësore janë legjitime”, ndërsa “dhuna në rrugë nuk do të tolerohet”.

“Dua të theksoj se i kuptoj vuajtjet, vështirësitë, nevojat dhe problemet me të cilat përballen qytetarët. Fatkeqësisht, ato nuk mund të zgjidhen brenda natës, por gradualisht”, ka thënë Boc.

Autoritetet thonë se mbi 50 njerëz, përfshirë katër zyrtarë policorë, janë lënduar, ndërsa 29 të tjerë janë arrestuar gjatë natës së kaluar.

Protesta më të vogla kanë zënë vend edhe në disa qytete të tjera, por pa shënuar ndonjë incident.

Kabineti i Bocit pritet të mblidhet gjatë ditës për të diskutuar projekt-ligjin e ri të kujdesit shëndetësor, i cili edhe shkaktoi protestat.

Ligji në fjalë është pjesë e masave shtrënguese, për të cilat Rumania ka rënë dakord me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.
XS
SM
MD
LG