Ndërlidhjet

Turqi: Burg i përjetshëm për nxitje në vrasjen e gazetarit


Një gjykatë në Stamboll të Turqisë sot e ka dënuar personin Jasin Hajal, me burgim të përjetshëm, për nxitje të vrasjes së gazetarit etnik armen, Hrant Drink, para pesë vitesh.

Njëherësh, gjykata e ka liruar këtë person dhe disa të tjerë për akuza se kanë vepruar me urdhër të një organizate terroriste, duke shkaktuar zemërim te familja e gazetarit të ndjerë dhe avokatëve, të cilët thonë se procesi nuk ishte marrë me dyshimet për lidhje ndërmjet të dyshuarve dhe disa zyrtarëve.

Hrant Drink, kryeredaktor i gazetës në gjuhën turke dhe armene “Agos”, ishte qëlluar për vdekje në Stamboll, në vitin 2007.

Ai i kishte hidhëruar nacionalistët turq, pasi i kishte përshkruar si gjenocid, vrasjet masive të armenëve në fillim të shekullit 20.

Korrikun e kaluar, gjykata e kishte dënuar vrasësin e gazetarit Dink, Ogun Samast, me 23 vjet burgim. Ai ishte 17 vjeçar kur ndodhi vrasja.

Një numër i intelektualëve, i politikanëve dhe i veprimtarëve për të drejtat e njeriut, sot marshuan kah salla e gjyqit ku po mbahej procesi, duke u bërë thirrje autoriteteve që t’i dënojnë zyrtarët shtetëror, që dyshohet se kishin dorë në vrasjen e gazetarit Hrant Dink.
XS
SM
MD
LG