Ndërlidhjet

Eshton beson ende në bisedimet izraelito-palestineze


Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, tha se nuk beson që bisedimet ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve kanë arritur “një fund të vdekur”.

Komentet e saj vijnë pas deklaratave të palestinezëve, sipas të cilave, përpjekjet për bisedime me izraelitët kanë përfunduar pa ndonjë përparim.

Dy palët kanë mbajtur pesë takime në Jordani që nga fillimi i këtij viti, për të shqyrtuar mënyrat e rikthimit të negociatave formale për paqe, që u ndërprenë në fund të vitit 2010.

Eshton, duke folur pas takimit me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, në Aman, tha se “Abas ka menduar me kujdes se si të shkojë përpara”.

Kryediplomatja e BE-së, e cila ka takuar edhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, gjatë kësaj jave, tha se mbetet me shpresë se, “me vullnetin e të dyja palëve, bisedimet do të mund të vazhdojnë”.

Izraeli ka pushtuar Jerusalemin Lindor në luftën e vitit 1967, por bashkimin e tij me Izraelin, bashkësia ndërkombëtare nuk e ka miratuar kurrë.

Palestinezët dëshirojnë që kjo pjesë e Jerusalemit të jetë kryeqendër e shtetit të tyre të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG