Ndërlidhjet

SHBA: Obama thotë se e ka urdhëruar sulmin në Somali


Presidenti Barak Obama, në një letër dërguar sot Kongresit të Shteteve të Bashkuara, ka thënë se ai e ka urdhëruar misionin e 24 janarit, për shpëtimin e amerikanes, Xhesika Bjukenen, 32 vjeçare, dhe danezit, Paul Thisted, 60 vjeçar, që ishin të rrëmbyer nga piratët në Somali.

Ata ishin rrëmbyer në muajin tetor të vitit të kaluar nga një grup “i lidhur me piratët e Somalisë dhe me financierë”, në këtë vend të varfër afrikan.

Sipas zyrtarëve të paemëruar amerikanë, agjencitë e lajmeve raportojnë se operacioni ishte kryer nga ekipi elit i forcave speciale për operacione, SEAL, i njejti grup që e ka bërë ndërhyrjen në kompleksin pakistanez në maj të vitit 2011, me ç’rast është vrarë Osama bin Laden.

Mendohet se gjatë operacionit kundër piratëve somalezë janë vrarë 9 rrëmbyes.

Punëtorët humanitarë, Xhesika Bjukenen dhe Paul Thisted, tashmë gjenden në një bazë të Marinës së Shteteve të Bashkuara, në Itali.
XS
SM
MD
LG