Ndërlidhjet

Këshilli i Sigurimit diskuton Sirinë


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka diskutuar draft-rezolutën e sponsorizuar nga disa vende evropiane dhe disa arabe, në lidhje me Sirinë.

Ajo bën thirrje për mbështetje të planit të Ligës Arabe, që kërkon dorëheqjen e presidentit sirian, Bashar al-Asad, me synim për t’i lëshuar vendin formimit të qeverisë së përkohshme deri në organizimin e zgjedhjeve.

Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin, tha se draft-rezoluta është “e papranueshme” në disa pjesë, porse “Moska është e gatshme të angazhohet në lidhje me të”.

Çurkin tha se nuk mund të sillet asnjë vendim për Sirinë, përpara se të nisë dialogu ndërmjet Qeverisë së Asadit dhe opozitës.

Ambasadori i Gjermanisë, Peter Vitih, tha se qëndrimi i Rusisë, megjithatë, është inkurajues.

“Jam i inkurajuar nga fakti se kolegu rus tha se do të angazhohet për diskutime të mëtejshme. Natyrisht, ai përmendi disa pengesa dhe ju i dëgjuat ato. Pra, jo embargo armësh, jo sanksione, jo ndryshim regjimi”, tha Vitih.

Britania dhe Franca kanë shfaqur shpresën se draft-rezoluta do të mund të vihej në votim javën e ardhshme.

Ambasadori sirian në Kombet e Bashkuara, Bashar Jafari, tha se OKB-ja po bën përpjekje të vendosë për fatin e Sirisë pa u konsultuar me Damaskun.

“Një pjesë e rëndësishme e këtyre zotërinjve është se ata po flasin për vendin tim, pa u konsultuar me neve, pa i ndarë me neve shqetësimet e tyre, vërejtjet e tyre. Ata mendojnë se Siria nuk ekziston, se nuk e ka një ambasador këtu dhe se ne jemi ende nën hegjemoni. Ata po na trajtojnë neve si një ish-koloni që duhet ta nënshtrojë veten e saj sipas dëshirës së tyre”, tha Jafari.

Takimi i OKB-së ka ndodhur në kulmin e dhunës në Siri. Aktivistët kanë raportuar për 135 persona të vrarë në dy ditët e fundit.
XS
SM
MD
LG