Ndërlidhjet

Lustrimi, sërish me polemika të ashpra


Maqedoni
Maqedoni
Ndërprerja e procesit të lustrimit për pjesët e kontestuara që, sipas kushtetueses, shkelin dinjitetin dhe integritetin moral të personave në fjalë, nuk do të thotë se ndërpritet Ligji për lustrim, por disa pjesë të këtij ligji janë suspenduar përkohësisht, pasi bëhet fjalë për ish-bartës të funksioneve publike, anëtarë të OJQ-ve dhe gazetarë, ka sqaruar kryetari i Komisionit për Lustrim, Tome Axhiev.

Sipas tij, humbet një mundësi e mirë që punonjësit e mediave të spastrohen nga spiunët, të cilët kanë vepruar brenda tyre.

Tome Axhiev
Tome Axhiev
“Kjo mbetet barrë e mediave, pra do të ketë në mesin e tyre gazetarë, të cilët kanë punuar për shërbimet sekrete. Shansi për të spastruar mediat nga bashkëpunëtorët e shërbimeve është humbur”, ka thënë Axhiev, duke theksuar se ai do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetues.

Edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka thënë se do të respektojë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese, por preferon që gazetarët do të duhej të lustrohen me qëllim të heqjes së dyshimeve që në shesh i hodhën disa qendra me ndikim në vend se gjoja një numër i konsiderueshëm i gazetarëve janë bashkëpunëtorë të shtetit.

Megjithatë, siç është shprehur Petrit Saraçini, nga Instituti i Mediave, procesi i stërzgjatur i lustrimit lë hapësirë për keqpërdorim.

“Me vetë faktin që Ligji i lustrimit vazhdon të vlejë edhe për ditët e sotme dhe jo si në shtetet tjera ish-komuniste ku u realizua procesi i lustrimit duke përfshirë vetëm periudhën moniste, krijoi hapësirë për keqpërdorimin e këtij procesi. Kjo gjë u pa gjatë muajve të fundit, përderisa ai realizohej meqë nuk u zbulua asnjë spiun në kuadër të bartësve të funksioneve që janë aktualisht, por spiunët u gjetën vetëm në mesin e ish-funksionarëve”, është shprehur Saraçini.

Nga ana tjetër, Pavle Trajanov, ish-ministër i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, ka theksuar se nuk është i vogël numri i gazetarëve, të cilët gjatë sistemit të kaluar kanë shërbyer si bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete për shkak të profesionit specifik.

“Krahasuar me strukturat tjera, mbase gazetarët kanë qenë më të dëshiruarit njëherësh ata, te të cilët është ushtruar presion për t’u inkorporuar në shërbimet sekrete. Pra, numri i tyre nuk është i vogël”, ka theksuar ish-ministri Trajanov.

Sipas Trajanovit, jo rrallëherë gazetarët edhe janë shantazhuar që të inkuadrohen në rrjetin e spiunimit.

“Shpeshherë ata gazetarë, të cilët ishin më ‘mendjehapur’ dhe me qëndrime më kritike ndaj regjimit, përmes sistemit të përpunimit dhe presioneve të ndryshme ata janë shantazhuar që të bashkëpunojnë me shërbimet sekrete për çka për arsye të ndryshme janë detyruar të pranojnë”, ka shtuar Trajanov.

Nga ana tjetër, politikologu maqedonas Vlladimir Pivovarov, ka thënë se është e fshehtë publike trajnimi diplomatëve dhe funksionarëve për kundërzbulim

Është e fshehtë publike se shkollën e Pançevës, shërbimet sekrete e shfrytëzonin për të trajnuar funksionarët dhe diplomatët që të mund të mblidhnin sa më shumë që është e mundur informacione gjatë udhëtimeve zyrtare dhe atmosferës që mbretëronte për vendin tonë në ato shtete. Madje shpesh jo vetëm funksionarët dhe diplomatët trajnoheshin, po edhe familjet e tyre”, ka potencuar Pivovarov.

Ndryshe, Komisioni për Verifikimin e Fakteve deri më tani nuk ka verifikuar deklaratat e 26 personave duke i shpallur si spiunë.

Partia maqedonase në opozitë, LSDM, ka theksuar disa herë se Komisioni për Lustrim në kundërshtim me ligjin dhe etikën politike tërë gjahun për të zbuluar spiunët e ka drejtuar tek opozita, njëherësh duke theksuar se procesi i stërzgjatur e ka devalvuar lustrimin.

Kurse, kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta ndërprerë lustrimin është sjellë me presion të disa faktorëve të caktuar, të cilët kanë interes ta dëmtojnë dhe shkatërrojnë procesin.

“Të jem më konkret, ata janë njerëz, të cilët në të kaluarën kanë qenë spiunë dhe tani frikohen se ajo do të bëhet publike, pra njerëz të cilët kanë spiunuar për interes personal, përparim në karrierë ose të ngjashëm, ndërsa diku edhe për para”, ka thënë Gruevski.
XS
SM
MD
LG