Ndërlidhjet

Llegard kërkon ndihmë për FMN-në


Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristinë Llegard, ka përsëritur se është e domosdoshme rritja e mjeteve në FMN, duke theksuar se një gjë e tillë do të jetë e nevojshme edhe për vendet jashtë Eurozonës.

Ajo i ka bërë këto komente në Forumin Botëror Ekonomik, i cili po zhvillon punimet në Davos të Zvicrës.

“Për këtë arsye, unë jam këtu me çantë, që të mbledh para”, ka thënë Llegard.

Udhëheqësja e FMN-së, e cila në këtë pozitë ka pasuar Dominik Shtraus Kanin, ka thënë se asnjë vend nuk i ka humbur paratë që i ka huazuar Fondit dhe se “rritja e mjeteve financiare në FMN do të bëjë që të rritet edhe besimi në sistemin global financiar”.

Ministri britanik i Financave, Xhorxh Ozborn, ka thënë se Britania e Madhe është e gatshme të kontribuojë në rritjen e këtyre mjeteve, por me kushtin që Eurozona të kryejë pjesën e saj të detyrës dhe Fondi të respektojë rregullat që i ka vendosur vetë.

“Nëse këto kritere zbatohen, Britania do ta shqyrtojë seriozisht pjesëmarrjen në rritjen e këtyre mjeteve financiare”, ka thënë Ozborn.

Edhe sekretari i Thesarit amerikan, Timoti Gajtner, ka bërë të ditur se SHBA është e gatshme që, nën kushte të caktuara, të kontribuojë në ndihmën për FMN-në.

Fondit Monetar Ndërkombëtar i duhen 500 miliardë dollarë shtesë.

Forumi Botëror Ekonomik ka nisur të mërkurën, ndërsa përfundon më 29 janar.
XS
SM
MD
LG