Ndërlidhjet

Irani, optimist për vizitën e ANEB-it


Ministri i Jashtëm iranian, Ali Akbar Salehi, ka shprehur optimizëm ndaj vizitës së ekipit të ekspertëve bërthamorë të Kombeve të Bashkuara.

Zyrtarët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) ndodhen në Teheran deri të martën, në përpjekje për të marrë përgjigje nga Irani në lidhje me programin e tij atomik.

Raporti që ka publikuar ANEB në nëntorin e kaluar vërteton se ky aktivitetet i Republikës Islamike mund të ketë vetëm aplikime ushtarake.

Salehi ka thënë se nuk pret “mrekulli” si rezultat të vizitës, por ka deklaruar se “ky është hapi i parë”.

“Pra, me fjalë të tjera, do të them se jam optimist për këtë vizitë. Natyrisht, nuk mendoj se do të ndodhin mrekulli gjatë natës, por ju e dini se rruga e gjatë nis me hapin e parë”, është shprehur Salehi.

Ekipi i ANEB-it ka nisur bisedimet me zyrtarët bërthamorë të Iranit të dielën, ndonëse pak detaje janë bërë të ditura.

Perëndimi druan se Teherani ka për qëllim krijimin e armëve atomike - akuza që hidhen poshtë nga Republika Islamike. Bisedimet ndërmjet dy fuqive, në lidhje me aktivitetin bërthamor, janë ndërprerë janarin e vitit të kaluar pa ndonjë arritje.
XS
SM
MD
LG