Ndërlidhjet

Kuper sot në Prishtinë


Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Robert Kuper, pritet të qëndrojë sot në kryeqytetin kosovar.

Nga kabineti i shefes së delegacionit kosovar, Edita Tahirit është paralajmëruar takimi i saj me Kuperin pasditen e sotme.

Pritet që temë kryesore e bisedimeve mes Kuperti dhe Tahirit të jetë përfaqësimi i Kosovës në takimet rajonale dhe zbatimi i marrëveshjeve të deritashme të arritiura mes Kosovës e Serbisë në Bruksel.

Kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se vazhdimi i dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit mund të ndodhë vetëm atëherë kur të përafrohen qëndrimet e të dyja palëve rreth çështjes së bashkëpunimit rajonal.

“Ne e presim vizitën e ndërmjetësit evropian, Kuper, i cili vjen pas vizitës që ka bërë në Beograd dhe pas bisedimeve që kemi pasur të premten me video-lidhje... Prandaj, dita e marta mund të jetë një moment i ri për të parë se çfarë janë perspektivat”, ka thënë Tahiri.

Kushtet e këqija atmosferike kanë bërë që Kuper të anulonte vizitën e paraparë për javën e kaluar në Prishtinë.

Bisedimet për çështje teknike mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin evropian, kanë nisur marsin e kaluar.

Palët kanë arritur disa marrëveshje, ndërsa kanë hasur në kundërshtime të forta sa i përket përfaqësimit rajonal të Prishtinës.
XS
SM
MD
LG