Ndërlidhjet

Jahjaga mirëpret fundin e mbikëqyrjes


Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka mirëpritur gatishmërinë e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për përmbylljen, brenda këtij viti, të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

“Përmbyllja e fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë shënon një sukses të përbashkët të bashkësisë ndërkombëtare, të institucioneve të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, që me kontributin e tyre vendosën themelet e shtetit sovran, të pavarur dhe demokratik”, thuhet në një deklaratë lëshuar nga Presidenca e Kosoëvs.

Bashkësia ndërkombëtare dhe shtetet mike të Kosovës, vijon deklarata, “kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen dhe konsolidimin e shtetit tonë”.

Periudhën deri në përmbyllje të misionit të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), thuhet më tej në deklaratë, institucionet e Republikës së Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare do ta shfrytëzojnë për ndërtimin e një qasjeje të përbashkët, për konkretizimin e përgjegjësive dhe përcaktimin e bartësve të proceseve, në mënyrë që kjo fazë e tranzicionit të zhvillohet dhe të përfundojë me sukses.

Një qasje e tillë, sipas presidentes Jahjaga, siguron përmbushjen e plotë të obligimeve që dalin nga Pakoja e Ahtisarit.

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që në bashkëpunim të ngushtë dhe partneritet me praninë ndërkombëtare në Kosovë, të vendosin kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë integrimin e tri komunave në veri të vendit, si dhe për ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme demokratike”, thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga.

Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar një rezolutë, me të cilën zotohet se do t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga Pakoja e Ahtisarit, në mënyrë që mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë të përfundojë në fund të këtij viti.
XS
SM
MD
LG