Ndërlidhjet

Problemet në Kosovë "të zgjidhen përmes dialogut"


Serbia dhe BE-ja “mbeten të vendosura për zgjidhjen e të gjitha problemeve në Kosovë vetëm me anë të dialogut”, është thënë pas takimit që kanë zhvilluar në Beograd shefi i delegacionit të Serbisë në bisedime, Borisllav Stefanoviq, dhe drejtori i Drejtorisë së përgjithshme për zgjerim pranë Komisionit Evropian, Stefano Sanino.

Sipas komunikatës që ka lëshuar Qeveria e Serbisë mësohet se “të dyja palët kanë biseduar edhe rreth përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale, si dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

Në takimin e sotëm thuhet të ketë marrë pjesë edhe shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd, Vensan Dezher.

Kosova dhe Serbia kanë nisur bisedimet për çështje teknike në marsin e vitit të kaluar. Ato kanë arritur disa marrëveshje, por, së fundmi, kanë hasur në kundërshtime të forta sa i përket përfaqësimit rajonal të Prishtinës.
XS
SM
MD
LG