Ndërlidhjet

Gjermani: Vendimi për Arid Ukën – më 10 shkurt


Vendimi në një gjykatë gjermane në procesin kundër Arid Ukës, 21 vjeçar, shqiptar nga Kosova, i cili ka pranuar si i ka vrarë dy ushtarë amerikanë, do të shpallet më 10 shkurt, ka njoftuar sot Gjykata e Lartë Rajonale në Frankfurt.

I akuzuari Uka ka pranuar se ka hapur zjarr në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani, më 2 mars të vitit të kaluar, kundër një grupi të ushtarëve të Shteteve të Bashkuara, në rrugën e tyre për në Afganistan.

Me këtë rast dy ushtarë ishin vrarë, ndërsa dy të tjerë ishin plagosur.

Gjatë procesit, shpallja e vendimit e të cilit është shtyrë dy herë, Uka tha se dëshiron të kërkoj falje te viktimat e tij dhe familjet e tyre.

Ai theksoi se ishte nën ndikimin e “gënjeshtrave” dhe “propagandës”, pasi e kishte parë një video në Internet, që pretendonte se tregonte ushtarët amerikanë në Afganistan, duke e dhunuar një femër.

Johen Veingarten, njëri nga dy prokurorët federalë, tha se Arid Uka, duhet të mbetet më gjatë se 15 vite në burg, për shkak të mizorisë së këtij rasti që involvon dy vrasje dhe tri përpjekje për vrasje.

Në Gjermani nëse një i akuzuar dënohet me burgim të përjetshëm, ai lirohet pas 15 viteve të mbajtjes së burgut.

Mihaela Rot, avokatja e Arid Ukës, nuk e ka kontestuar fajësinë e klinetit të saj, por ka kërkuar që ai të lirohet pasi ta mbajë dënimin prej 15 viteve.

“Një xhihadist kurrë nuk do të kërkonte falje, siç ka bërë Arid Uka, prej ditës së parë të këtij procesi”, tha Mihaela Rot.
XS
SM
MD
LG