Ndërlidhjet

Klinton e quan “parodi” veton ruse


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, e ka quajtur “parodi qesharake” veton e Rusisë dhe të Kinës ndaj rezolutës së OKB-së për Sirinë.

Duke folur në Bullgari, Klinton tha se përpjekjet e organizatës botërore për të ndihmuar njerëzit e Sirisë, duhet të dyfishohen.

Shtetet e Bashkuara, shtoi ajo, do të punojnë me “miqtë e një Sirie demokratike” për të mbështetur kundërshtarët e presidentit sirian.

Rusia dhe Kina i kanë vënë veto rezolutës së OKB-së. Moska ka deklaruar se ajo është shkruar nga fuqitë perëndimore.

Në fakt, draft-rezoluta është përpiluar nga vendet e Ligës Arabe dhe është paraqitur para Këshillit të Sigurmit të OKB-së nga Maroku, me mbështetjen e Perëndimit.

Sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Nabil Elarabi, ka thënë se shtetet arabe nuk do të ndalojnë së bëri përpjekje për të zgjidhur krizën në Siri.

Opozita siriane, të dielën, ka bërë thirrje për mbështetje ndërkombëtare.

Trazirat kundër Asadit kanë nisur në mars të vitit të kaluar dhe prej atëherë kanë lënë mijëra të vdekur.
XS
SM
MD
LG