Ndërlidhjet

Serbia "nuk mund të shpërblehet" me statusin e kandidatit


Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, po merr pjesë në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Duke folur para anëtarëve të këtij mekanizmi, Hoxhaj i ka informuar për progresin e arritur gjatë periudhës raportuese si dhe për sfidat.

Ministri Hoxhaj ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e angazhuar në sigurimin e rritjes ekonomike, adresimin e papunësisë dhe sigurimin e drejtësisë sociale për të gjithë, përmirësimin e klimës investuese të biznesit dhe reformimin e sektorit të energjisë dhe arsimit.

Sa i përket dialogut teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Hoxhaj ka thënë se Serbia ka dështuar të bëjë progres të mjaftueshëm në këtë proces.

Kryediplomati kosovar ka folur edhe për situatën e tanishme në pjesën veriore të Kosovës dhe moszbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.

“Situata në terren, veçanërisht në veri të Kosovës, mbetet e tensionuar si rezultat i bllokadave të rrugës që janë ngritur nga ekstremistët serbë dhe strukturat shtetërore të Serbisë që paguhen nga Beogradi. Prej korrikut të vitit të kaluar, liria e lëvizjes e qytetarëve dhe mallrave në pjesën veriore të Kosovës u mohohet qytetarëve të Kosovës", ka thënë mes tjerash Hoxhaj.

Ai ka theksuar se sundimi i ligjit nuk është e i negociueshëm dhe se duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.

Duke folur për perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit, ministri Hoxhaj ka thënë se paqja dhe stabiliteti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe prosperiteti i tërë rajonit do të varen nga vendimet që do të merren shpejt në Bruksel nga Këshilli Evropian.

Sipas tij, Serbia nuk mund të shpërblehet me statusin e kandidatit, pa shpërbërjen e strukturave të policisë dhe sigurisë në veri të Kosovës

“Nëse Serbia shpërblehet me statusin e kandidatit, pa shpërndarjen e strukturave të policisë dhe sigurisë në veri të Kosovës, largimin e barrikadave dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve, atëherë pasojat do të jenë afatshkurtra dhe afatgjate. Situata e 'status-quo'-së në tri komunat veriore të Kosovës do të transformojë në një konflikt të ngrirë; marrëveshjet e arritura përmes dialogut teknik nuk do të zbatohen; dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë të ardhme”, ka paralajmëruar Hoxhaj.

Këshilli i Sigurimit diskuton sot raportin e rregullt të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, për situatën në Kosovë.

Në këtë takim merr pjesë edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq.
XS
SM
MD
LG