Ndërlidhjet

Papa lutet për viktimat e të ftohtit


Papa Benedikti XVI ka kërkuar lutje për viktimat e valës së ftohtë që ka përfshirë kontinentin evropian.

“Dua të shpreh ndjesinë time për të gjithë njerëzit e prekur nga këto kushte të pafavorshme të motit, si dhe t’ju ftoj juve që të luteni për viktimat dhe familjet e tyre”, ka thënë kreu i Kishës Katolike.

Afro 500 njerëz janë raportuar të vdekur nga koha ekstreme në Evropë, ku temperaturat kanë arritur deri në minus 36 gradë Celsius.

Shumica e viktimave kanë qenë njerëz të varfër dhe të pastrehë.

Në Ukrainë janë regjistruar të paktën 131 të vrarë. Polonia, Hungaria, Rumania dhe vende të tjera të Evropës qendrore dhe lindore janë goditur po ashtu rëndë, me dhjetëra viktima të regjistruara.

Në Ballkan, mijëra njerëz mbeten të shkëputur nga bota, pasi reshjet e dendura të borës kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe të telefonave.
XS
SM
MD
LG