Ndërlidhjet

Dështon marrëveshja në Greqi


Politikanët grekë kanë dështuar të arrijnë marrëveshje finale për reformat që do t’i siguronin Greqisë paketën e dytë të ndihmës ndërkombëtare, në vlerë për 130 miliardë eurosh.

Pas dështimit të bisedimeve të enjten, ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos, ka udhëtuar drejt Brukselit, ku homologët e tij të Eurozonës do të takohen për të diskutuar ndihmën për Greqinë.

Gjatë bisedimeve, koalicioni qeverisës në Greqi ka arritur marrëveshje për miratimin e masave të reja të kursimit, por ka dështuar të finalizojë marrëveshjen për shkurtimet në pensione.

Venizelos tha se pret rezultate “pozitive” nga bisedimet e tij në Bruksel.

“Do të udhëtoj drejt Brukselit me shpresën se takimi i euro-grupit do të sjellë një vendim pozitiv për programin e ri të ndihmës”, tha Venizelos para nisjes.

Greqia po përballet me krizën e borxheve që dy vjet. Masat e ashpra të kursimit janë kundërshtuar vazhdimisht nga qytetarët grekë.

Sipas sondazheve të opinionit, rreth 90 për qind e grekëve besojnë se koalicioni qeveritar po e çon vendin në “drejtim të gabuar”.

Paketa e parë e ndihmës ndërkombëtare për Greqinë ka kapur vlerën e 110 miliardë eurove. Për të dytën është vendosur tetorin e kaluar.

Greqia, muajin e ardhshëm, mund të dështojë në likuidimin e borxhit, nëse nuk arrin marrëveshjen e kërkuar.
XS
SM
MD
LG