Ndërlidhjet

Prishtinë: Limaj vazhdon të mbahet në arrest shtëpiak


Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka vendosur kundër kërkesës së prokurorit Mauricio Salustro që i akuzuari në rastin “Kleçka”, Fatmir Limaj, të kalojë në paraburgim nga arresti shtëpiak ku gjendet aktualisht.

Në arsyetimin e gjykatës është thënë se “Limaj nuk i ka shkelur kushtet e paracaktuara për masën aktuale që e mbanë”.

Kryetari i trupit gjykues, Xhonatan Uelford Karoll, ka deklaruar se gjatë kohës sa zoti Limaj ka qëndruar në arrest shtëpiak, ka pasur shkelje, por siç ka thënë ai, ato kanë qenë shkelje teknike.

Gjykata ka vendosur, poashtu, se tash e tutje Limaj në relacionin gjykatë – banesë të transportohet me makinën e policisë së Kosovës, e jo me veturë private siç ka ndodhur deri tash.

Arresti shtëpiak për Limajn do të vazhdoj edhe për dy muaj të tjerë.

Limaj nuk e gëzon më imunitetin e deputetit, pas një interpretimi të Kushtetutës, që Gjykata Kushtetuese i bëri më 20 shtator të 2011-ës, nëpërmjet të cilit të gjithë ligjvënësit u zhveshën nga imuniteti që gëzonin deri atëherë.

Deputetit Fatmir Limaj dhe nëntë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuzohen për krime kundër popullatës civile gjatë luftës më 1999, në atë që njihet si "rasti Kleçka".
XS
SM
MD
LG