Ndërlidhjet

Jahjaga ndan 10 mijë euro për të goditurit nga orteku


Presidentja Jahjaga viziton të mbijetuarën e ortekut, Prizren, 12 shkurt
Presidentja Jahjaga viziton të mbijetuarën e ortekut, Prizren, 12 shkurt
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot në spitalin rajonal të Prizrenit, Asmira Rekën, të mbijetuarën e vetme të tragjedisë së shkaktuar nga moti i keq në fshatin Restelicë, të komunës së Dragashit, në të cilën pësuan anëtarët e familjes Reka.

“Është një tragjedi e rëndë humbja e jetëve të njerëzve si pasojë e ortekut të borës, një fatkeqësi elementare e paparashikueshme. Ju shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve. Ata do të kenë përkrahjen dhe mbështetjen institucionale për të sanuar pasojat e kësaj fatkeqësie”, ka thënë presidentja Jahjaga.

Gjatë vizitës, Presidentja Jahjaga, e shoqëruar nga kryetari u komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, u njoftua me gjendjen e Asmirës, dhe njëkohësisht falënderoi mjekët dhe personelin e këtij spitali për mobilizimin dhe përkujdesjen që ata po ofrojnë për qytetarët e Restelicës, por edhe për të gjithë banorët e fshatrave të tjera të rrezikuar nga bora e rënë ditëve të fundit në mbarë Kosovën.

Presidentja Jahjaga ka veçuar “punën e palodhshme të Forcave të Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe qytetarëve vullnetarë për përpjekjet e tyre të pandërprera për të hapur rrugën dhe për t’u ardhur në ndihmë të të ngujuarve në Restelicë”.

Me këtë rast, Presidentja Jahjaga ndau 10,000 euro nga fondi i Zyrës së Presidentes për të ndihmuar adresimin e nevojave emergjente për familjet e goditura të fshatit Restelicë.
XS
SM
MD
LG