Ndërlidhjet

Beogradi të shpallë "zyrtarisht të pavlefshëm" referendumin


Rada Trajkoviq, deputete në Kuvendin të Kosovës.
Rada Trajkoviq, deputete në Kuvendin të Kosovës.
Organizatorëve të referendumit të veriut u intereson vetëm ajo që u përgjigjet atyre, e në veçanti promovimi partiak, për shkak të zgjedhjeve në Serbi. Kështu ka deklaruar për mediat në Beograd, politikania serbe e Kosovës qendrore, Rada Trajkoviq, njëherësh deputete në Kuvendin të Kosovës.

Trajkoviq ka thënë se qëllim i tyre është të punojnë pa marrëveshje për një qasje unike në “zgjidhjen e çështjes serbe në Kosovë”.

Referendumi i veriut është zhvilluar në Mitrovicë, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, ndërsa afro 100% e serbëve lokalë kanë votuar kundër shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në pjesën veriore të vendit.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar deklaratën, me të cilën ka shpallur ligjërisht të pavlefshëm referendumin e veriut.

Trajkoviq ka numëruar disa “probleme” që, sipas saj, ka hapur ky proces.

“Jam e shqetësuar për pasojat, sepse përgjigjja ndaj referendumit serb në Kuvendin e Kosovës ka forcuar pozicionin e Prishtinës. (Kryemnistri) Thaçi ka shprehur kundërshtimin e tij në Parlament dhe ka marrë edhe mbështetjen e palës serbe. Vendimin do ta mbajë në sirtar deri kur ta vlerësojë vetë se duhet intervenuar. Është e nevojshme që edhe Beogradi ta shpallë atë referendum të pavlefshëm zyrtarisht dhe institucionalisht”, ka thënë Trajkoviq.

Qeveria serbe publikisht është deklaruar kundër referendumit të veriut, duke thënë se organizimi i tillë mund të dëmtojë interesat e shtetit serb. Analistët në Prishtinë, megjithatë, kanë shprehur bindjen se referendumi në fjalë ka gëzuar mbështetjen e ekzekutivit në Beograd.

Kundër referendumit është shprehur edhe komuniteti ndërkombëtar. Sipas këtij të fundit, ai mund të dëmtojë dialogun për çështje teknike ndërmjet Prishtinës e Beogradit, ashtu si edhe vazhdimin e euro-integrimit të Serbisë.
XS
SM
MD
LG