Ndërlidhjet

Serbia "mund të fitojë kandidaturën"


Qeveria e Serbisë - arkiv
Qeveria e Serbisë - arkiv
Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, dhe ministri danez për çështje evropiane, Nikollaj Vamen, kanë vlerësuar sot në Beograd se “Serbia ka bërë përparim të madh në procesin e euro-integrimeve, porse nuk duhet të paragjykohet vendimi i Këshillit Evropian në lidhje me kandidaturën e saj, sepse qëllimi nuk është arritur ende”.

Vamen ka shfaqur shpresën se Serbia, më 1 mars, mund të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke thënë se gjatë të ditëve të ardhshme atë e presin biseda të rëndësishme në këtë proces.

Jeremiq ka thënë se progresi në dialogun Beograd-Prishtinë do të jetë element kyç në vendimin e qeverive evropiane për statusin e kandidatit për Serbinë. Ai ka shtuar se qëndrimi i Serbisë në bisedime nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë.

Sipas ministrit danez, është shumë e rëndësishme që “edhe Beogradi, edhe Prishtina të bëjnë gjithçka të mundur për të arritur kompromise në mënyrë konstruktive”.

Jeremiq ka thënë se rezultatet e referendumit në veri të Kosovës kanë treguar atë që ka qenë e njohur edhe më herët, se “serbët e veriut të Kosovës nuk i pranojnë institucionet e Prishtinës dhe se për një gjë të tillë janë të vendosur”.

Beogradi zyrtar publikisht është shprehur kundër referendumit të veriut, që më 14 dhe 15 shkurt është zhvilluar në Mitrovicë, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Organizimi i tillë është konsideruar si një nga pengesat e Serbisë në rrugën e euro-integrimeve.
XS
SM
MD
LG