Ndërlidhjet

Nimic pa propozime për çështjen e emrit


Gjatë takimit Nimic-Gruevski
Gjatë takimit Nimic-Gruevski
I dërguari i posaçëm i OKB-së për çështjen e emrit, Metju Nimic, pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski, tha se nuk ka ardhur në Shkup me ide të reja, por me qëllim gjetjen e mënyrës për përshpejtimin e negociatave për zgjidhjen e kontestit.

“Propozime jap vetëm kur shoh se do të kishte dobi nga diçka e tillë. Për fat të keq, procesi ka zgjatur shumë. Nuk kam shtruar asgjë të re në tavolinë, por ky ishte më shumë se një mision për mbledhjen e fakteve. Kishte bisedime të thella për gjetjen e mënyrave se si të vazhdohet më tej”, deklaroi Nimic.

Ai tha se nga kreu shtetëror ka dëgjuar qëndrime, të cilat i ka vlerësuar si konstruktive dhe të sinqerta në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme.

Nimic, gjatë ditës, është takuar edhe me presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, dhe me ministrin e Jashtëm, Nikolla Poposki.

Pas këtyre takimeve, drejtuesit e institucioneve përsëritën qëndrimin se “Maqedonia mbetet në pozicionin për konstruktivitet në procesin e bisedimeve për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe të njëjtin pozicion pret edhe nga fqinji jugor”.

Ata kërkuan nga Athina që të respektojë vendimin e fundit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të mos pengojë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO me emrin e përkohshëm: Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM).

Marrëveshja dypalëshe e vitit 1995 parasheh qe Greqia të mos e bllokojë anëtarësimin e Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare përderisa ajo përdor emrin IRJM.

Emri i Maqedonisë thuhet se përkon me emërimin e një territori në Greqinë veriore.
XS
SM
MD
LG