Ndërlidhjet

Rikthehen bisedimet Prishtinë-Beograd


Kryenegociatorët në bisedime
Kryenegociatorët në bisedime
Në Bruksel sot pritet të rinisin bisedimet e ndërprera për një kohë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Të dyja palët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ndërkohë që ndërmjetësi evropian në proces, Robert Kuper, ka bërë publike çështjet që do të diskutohen. Sipas tij, bëhet fjalë për bashkëpunimin rajonal dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në raundet e mëhershme.

E para ka qenë edhe shkaku i ndërprerjes së bisedimeve për disa muaj, pasi palët nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje për përfaqësimin e Kosovës në forumet dhe nismat rajonale. Përderisa Prishtina ka kërkuar përfaqësimin e saj si shtet, Beogradi ka insistuar në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Së fundmi, Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Hashim Thaçi janë pajtuar që Kosova të përfaqësohet me një fusnotë, ku figuron Rezoluta 1244, ndërsa krahas saj edhe Deklarata e Pavarësisë dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë – çfarë ka nxitur edhe reagimin kundërshtues të opozitës kosovare.

Shteti serb ka përsëritur se 1244-shi i OKB-së dhe mendimi i GJND-së janë të pranueshëm, por pa iu referuar Deklaratës së Pavarësisë.

Ndërmjetësi evropian, Robert Kuper, ka theksuar rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal, duke thënë se një gjë e tillë është ekstremisht e rëndësishme.

Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet në mars të vitit të kaluar, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara.

Palët janë dakorduar për disa marrëveshje, ndërsa e fundit është ajo për menaxhimin e integruar të kufirit, e cila është arritur në fund të vitit të kaluar, përkatësisht në raundin e tetë të bisedimeve.
XS
SM
MD
LG