Ndërlidhjet

ANEB vazhdon vizitën në Iran


Reaktor bërthamor në Iran.
Inspektorët bërthamorë të Kombeve të Bashkuara janë duke vazhduar vizitën në Iran, pas shqetësimeve në rritje mbi aktivitetin e tij atomik.

Kjo është vizita e dytë në më pak se një muaj e inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB), të cilët shpresojnë të takojnë shkencëtarët atomikë të Iranit dhe të vizitojnë kompleksin ushtarak Parçin.

Ky i fundit dyshohet se strehon një strukturë sekrete bërthamore, që përdoret për programin atomik të Iranit – pretendime që hidhen poshtë nga Republika Islamike.

Inspektorët e ANEB-it kanë vizituar Parçinin në vitin 2005, por jo të gjitha zonat me interes brenda kompleksit.

Vizita e ANEB-it vjen pak ditë pasi Irani ka bërë publike ato që i quan "avancime në programin e tij nuklear".

Ajo vjen po ashtu në kohën kur Republika Islamike ka nisur stërvitjet për mbrojtje ajrore në jug të vendit.

Ndërkohë, Ministria iraniane e Naftës ka tërhequr vërejtjen se ndërprerja e eksportit të naftës për Francën dhe Britaninë, mund të zgjerohet edhe ndaj vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.

BE-ja i ka hedhur poshtë kërcënimet.

Perëndimi druan se Irani ka për qëllim krijimin e armëve bërthamore, andaj edhe ka miratuar një sërë sanksionesh që godasin edhe industrinë e tij të naftës, edhe bankën qendrore.

Irani i mohon akuzat duke thënë se programi i tij bërthamor ka synime civile paqësore, e madje edhe trajtimin e kancerit.
XS
SM
MD
LG