Ndërlidhjet

Rusia nuk merr pjesë në konferencën për Sirinë


Moskë - foto arkivi
Moskë - foto arkivi
Rusia nuk do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare për krizën në Siri, e cila do të mbahet të premten në Tunis.

“Nuk jemi të njoftuar për përbërjen e pjesëmarrësve e as për rendin e ditës. Më e rëndësishme është se qëllimi real i kësaj nisme, nuk është i qartë. Marrë parasysh këto rrethana, nuk e shohim të arsyeshme pjesëmarrjen tonë në konferencën e Tunisit”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, Aleksandar Llukasheviç.

Ai ka shtuar se, sipas Moskës, bëhet fjalë për formimin e një koalicioni ndërkombëtar, me qëllim mbështetjen e njërës palë në konflikt.

Llukasheviç ka thënë se në Tunis janë ftuar grupet opozitare, por jo edhe përfaqësuesit e Qeverisë siriane, çfarë, sipas tij, tregon se nuk do të merren parasysh interesat e një pjese të madhe të popullsisë që mbështet ekzekutivin.

Rusia, së bashku me Kinën, janë shprehur në mbështetje të regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Asad. Ato kanë kundërshtuar edhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që dënonin dhunën në Siri.

Kjo e fundit është përfshirë nga protestat anti-qeveritare qysh në mars të vitit të kaluar. Ato kanë rezultuar me disa mijëra të vrarë.
XS
SM
MD
LG